Zonja e parë Emine Erdoğan kujtoi se Türkiye vazhdon të jetë kombi më bujar sipas Raportit të Ndihmës Humanitare Globale 2022.     Foto: AA

Zonja e parë e Türkiye-s, Emine Erdoğan mori një çmim të dielën në New York nga organizatat kryesore muslimane për kontributin e saj humanitar.
Ajo u nderua me "Çmimin e Shquar Humanitar" gjatë një ceremonie të organizuar nga Këshilli i SHBA-së për Organizatat Muslimane, një koalicion i grupeve muslimane kombëtare, rajonale dhe lokale.
Pesë grave të tjera muslimane u janë ndarë "Çmimi i arritjeve të jashtëzakonshme" për punën e tyre në shkencë, fuqizimin e rolit të grave në shoqëri, gazetari dhe reagimin ndaj COVID-19.
"Jam e lumtur që jam me ju me rastin e kësaj ceremonie shumë domethënëse të ndarjes së çmimeve. Unë e pranoj këtë çmim në emër të vendit tim, i cili është ndërgjegjja e botës", tha Emine Erdoğan në fjalën e saj në ceremoni.
"Feja jonë na mëson se konkurrenca më e mirë mes njerëzve është të konkurrosh në vepra të mira. Në këtë aspekt, veprimtaria jonë është plot me shembuj të një gare bamirësie që i mahnit njerëzit", tha ajo.
Erdoğan kujtoi se Türkiye vazhdon të jetë kombi më bujar sipas Raportit të Ndihmës Humanitare Globale 2022, duke thënë se "ne kemi punuar që të jemi të parët" duke shkuar nëpër vende të ndryshme për t'i ndihmuar ata që kanë nevojë, pavarësisht nga feja, gjuha apo raca e tyre.
Ajo tha se Türkiye po vazhdon ndihmën e saj humanitare jo vetëm në nivelin dypalësh me vendet, por edhe përmes OKB-së, ku në vitin 2021 ka shpërndarë 7.7 miliardë dollarë ndihmë për 122 vende, përfshirë Sirinë, Somalinë dhe Palestinën.
Türkiye gjithashtu është përkushtuar që të përmbushë nevojat mjekësore të atyre që kanë nevojë në zonat e "brishta", tha Erdoğan, duke përmendur spitalet e ndërtuara në Sudan, Somali dhe Bangladesh.
"Eksperienca e ndihmës humanitare e Türkiye-s është shumë më tepër se një politikë e jashtme", deklaroi ajo.
Erdoğan kontribuoi duke ndihmuar projektet kombëtare që inkurajojnë arsimimin e vajzave dhe grave, projekte të kujdesit shëndetësor për fëmijët, gratë dhe refugjatët dhe projektin "Zero Emetime" në 2017 për të nxjerrë në pah ndryshimet klimatike dhe ndotjen.
Zonja e Parë tha se numri i refugjatëve në botë ka tejkaluar 100 milionë me luftën në Ukrainë, të cilën raporti e përshkruan si një "piketa dramatike".
"Siç e dini, tokat tona gjatë historisë kanë qenë një strehë e sigurt për njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi. Ne kemi hapur dyert për strehim edhe për vëllezërit dhe motrat tona ukrainase", shtoi ajo.
Zonja e parë gjithashtu udhëtoi në Mianmar në vitin 2012 dhe vizitoi kampet e refugjatëve Rohingya në Bangladesh në vitin 2017, pavarësisht situatës sfiduese të asaj kohe.
Erdoğan ka qenë në mbështetje të fuqizimit të grave në Afrikë. Ajo vizitoi më shumë se 20 vende afrikane midis 2014-2020, përfshirë Algjerinë, Etiopinë, Somalinë dhe Tanzaninë.
Zonja e parë beson se nëse gratë bëhen më të forta, atëherë do të forcohen edhe familjet dhe fëmijët.
Muslimanet e tjera që u nderuan me çmime
Aisha al-Adawiya, themeluesja e "Women in Islam, Inc.", një organizatë e grave muslimane që fokusohet në të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale, u shpërblye për aktivizimin e saj në të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale. Asaj çmimin ia ndau Erdoğan.
Ayesha Mustafaa, e cila ka shërbyer si redaktore e gazetës së përjavshme "Muslim Journal" që nga janari 1989, u shpërblye për rritjen e rolit të gruas në shoqëri.
Dr. Uzma Syed, e cila është kryetare e Task Forcës COVID-19 në Qendrën Mjekësore të Spitalit "Good Samaritan" në New York, mori çmimin për përgjigjen e saj ndaj pandemisë së COVID-19.
Tahani Amer, udhëheqësja ekzekutive e programit për Divizionin e Shkencës së Tokës në Drejtorinë e Misionit të Shkencës në NASA, u shpërblye për kontributin e saj në shkencë.
Tahera Rahman, një gazetare muslimane, u shpërblye për frymëzimin e të rinjve muslimanë që të merren me gazetari.

AA