Zv/presidenti turk: Ekonomia e Türkiyes 1,3 trilion dollarë deri në fundvit          / Foto: AA

Zv/presidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, tha se produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit të tij pritet të arrijë në 1,3 trilion dollarë deri në fund të këtij viti, me një PBB për kokë banori që mund të arrijë mbi 15 mijë dollarë.

Duke folur në një forum biznesi të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë të Türkiyes (DEIK), zv/presidenti Yılmaz tha se Ankaraja zyrtare gjithashtu parashikon që deri në fund të vitit fiskal 2027-28, PBB-ja për kokë banori të kalojë 20 mijë dollarë.

Ai shtoi se Türkiye hyri në 100-vjetorin e Republikës duke shënuar rekorde në prodhim, punësim, eksporte dhe të ardhura kombëtare.

"Nën udhëheqjen e qeverive tona, Türkiye arriti një normë mesatare vjetore të rritjes prej 5,4 për qind, ndërsa mesatarja botërore ishte 3,6 për qind, një performancë e rritjes shumë mbi mesataren botërore", tha ai, duke iu referuar qeverive të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), e cila është në pushtet që nga fundi i vitit 2002.

Ai theksoi se 20 vjet më parë, PBB-ja për frymë e Türkiyes ishte shumë e ulët, por tani vendi krenohet me një nga ekonomitë më të mëdha në botë.

"Ne e arritëm këtë përmes stabilitetit politik, udhëheqjes së fortë dhe korrekte, si dhe politikave efektive, të vërteta dhe të parashikueshme", shtoi ai, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik në zhvillimin ekonomik.

Yılmaz tha se deri në fund të këtij viti, eksportet e Türkiyes pritet të arrijnë në 264 miliardë dollarë dhe qeveria vlerëson se të ardhurat nga turizmi do të arrijnë në 60 miliardë dollarë.

Türkiye është gjithashtu në një pozicion shumë të mirë në sektorët e shërbimeve dhe qeveria ka zbatuar shumë reforma për të tërhequr investime të huaja në vend, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë