13 shtete paralajmërojnë Izraelin për ofensivën në Rafah /          Foto: AA

Ministrat e Jashtëm të 13 vendeve i kanë dërguar një letër të përbashkët Izraelit, duke paralajmëruar kundër një ofensive të madhe tokësore në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, sipas raportimeve të mediave të premten.

Letra e përbashkët, e nënshkruar nga ministrat e jashtëm të 13 vendeve, duke përfshirë ekonomitë dhe demokracitë e mëdha, iu dërgua qeverisë izraelite të mërkurën, duke kërkuar gjithashtu që ajo të lejojë akses të papenguar humanitar në territorin e rrethuar palestinez.

Ajo u nënshkrua nga vendet e G7, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe, si dhe Australia, Danimarka, Finlanda, Holanda, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Suedia, raportoi e përditshmja gjermane Suddeutsche Zeitung.

Në letrën prej katër faqesh, ministrat riafirmuan mbështetjen e tyre për të drejtën e Izraelit për t'u vetëmbrojtur kundër grupit palestinez Hamas, por gjithashtu paralajmëruan kundër një ofensive ushtarake në shkallë të gjerë në Rafah, duke theksuar se kjo do të kishte pasoja "katastrofike" për civilët.

Ata gjithashtu nënvizuan se qeveria izraelite duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të zbutur krizën shkatërruese dhe përkeqësuese humanitare në Rripin e Gazës. Ministrat kërkuan që Izraeli të hapë të gjitha pikat kufitare, duke përfshirë kalimin Rafah, për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare të nevojshme urgjentisht për civilët palestinezë.

Letra gjithashtu u kërkoi autoriteteve izraelite të lejojnë aksesin e organizatave ndërkombëtare të ndihmës, si dhe agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Gaza, të garantojnë sigurinë e punonjësve të ndihmës dhe personelit ndërkombëtar dhe të japin leje të mjaftueshme për shoferët vendas të kamionëve.


AA