A e përdori Papa 'gjenocidin' për të përshkruar ngjarjet në Gaza? / Foto: AFP

Një mosmarrëveshje ka shpërthyer këto kohë nëse Papa Françesku përdori fjalën "gjenocid" për të përshkruar situatën në Gaza gjatë një takimi më parë me palestinezët.

Papa organizoi të mërkurën një takim në rezidencën e tij në Vatikan me familjet palestineze, të afërmit e të cilëve mbahen në burgjet izraelite.

"Kur ndamë historitë e familjeve që janë vrarë në Gaza, ai u shpreh, 'Unë e shoh gjenocidin'," tregoi Shireen Hilal në një konferencë për shtyp pas takimit.

Pas pyetjeve të gazetarëve nëse Papa përdori fjalën "gjenocid", Hilal vuri në dukje: "Ishte shumë e qartë se fjala "gjenocid" nuk vinte nga ne. Ajo vinte nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku".

Ajo tha se ata e ftuan Papën në Gaza dhe ai tha se kjo do të ishte "një ide e mirë" dhe se mund të ndodhë kur ta lejojnë kushtet.

Ndërkohë, në një deklaratë të dhënë me shkrim, zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni nuk ka konfirmuar se Papa Françesku ka përdorur fjalën “gjenocid”.

"Unë nuk jam në dijeni që ai ka përdorur një fjalë të tillë. Ai ka përdorur terma që i ka shprehur gjatë audiencës së përgjithshme dhe fjalë që në çdo rast paraqesin situatën e tmerrshme që po përjetohet në Gaza", tha ai.

Familje të tjera palestineze që morën pjesë në takimin me Papën konfirmuan gjithashtu se e kishin dëgjuar të përdorte fjalën "gjenocid".

Në përgjigje të një pyetjeje për të njëjtën çështje në një ngjarje tjetër, Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, tha se "gjenocid" është një term shumë teknik që zbatohet për situata specifike.

"Nuk e di nëse mund të flasim për gjenocid në këtë rast," tha ai, raportoi agjencia e lajmeve ANSA.

Duke iu drejtuar audiencës së tij të përgjithshme, Papa Françesku tha se ai zhvilloi takime të veçanta me delegacionet izraelite dhe palestineze.

TRT World