Abbas: Anëtarësimi i plotë i Palestinës në OKB çëlësi i stabiliteti rajonal           / Foto: AA

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka deklaruar se anëtarësimi i plotë i Palestinës në OKB është çelësi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në adresimin e tij në samitin e organizatës D-8 në Kajro, Abbas tha se populli palestinez po përballet me masakra të përditshme izraelite, uri dhe përpjekje për zhvendosjen e tij.

"Kjo kërkon zbatimin e menjëhershëm të Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që kërkon një armëpushim, hyrjen e ndihmës dhe tërheqjen e plotë nga Gaza dhe Palestina", tha Abbas.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë që mbështet një armëpushim në Gaza dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga enklava palestineze si dhe shkëmbimin e të burgosurve midis Izraelit dhe palestinezëve.

"Arritja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon kërkon që Palestina të fitojë anëtarësimin e plotë në OKB dhe më shumë njohje ndërkombëtare (të shtetit palestinez)", theksoi Abbas.

Presidenti palestinez bëri thirrje për sigurimin e mbështetjes financiare për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) për t'ia lejuar të mbajë mbi supe përgjegjësitë e saj humanitare ndaj palestinezëve.

Samiti D-8, i titulluar "Investimi në të rinjtë dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme: Formimi i ekonomisë të së nesërmes", u hap sot në Kajro, ku i pranishëm është edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Grupi D-8 u krijua në Istanbul në vitin 1997 për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe sociale midis vendeve anëtare, respektivisht Türkiyes, Egjiptit, Nigerisë, Pakistanit, Indonezisë, Bangladeshit, Iranit dhe Malajzisë.

Më 7 tetor të vitit 2023, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, Izraeli nisi luftë gjenocidale në Gaza ku deri më tani ka vrarë të paktën 45.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Për veprimet në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

TRT Balkan / agjencitë