Në Tiranë dhjetëra studentë dhe të rinj kanë organizuar një protestë për të kërkuar “përmbushjen e premtimeve për arsimin dhe studentët”.
Protesta u organizua nga forumi rinor i partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri, Partisë Demokratike (PD), pasi sipas tyre nuk janë mbajtur premtimet e institucioneve për sektorin e arsimit dhe për mbështetjen ndaj studentëve.
Protestuesit u mblodhën para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, duke kërkuar "përmbushjen e premtimeve të institucioneve për arsimin dhe studentët".
Protestuesit i kanë bërë thirrje ministres së Arsimit dhe të Sportit, Ogerta Manastirliu, që të dialogojë dhe bashkëbisedojë me studentët për kërkesat e tyre.
Protesta e sotme u mbështet edhe nga pedagogë dhe aktivistë, ndërkohë studentët dhe të rinjtë e tjerë pjesëmarrës në protestë hodhën letra higjienike ndaj ambienteve të ministrisë.
Sipas organizatorëve, premtimet e parashikuara në “Paktin për Universitetin” të Qeverisë së Shqipërisë nuk janë mbajtur.
Sipas dokumentit në fjalë (Pakti për Universitetin), që u publikua nga Qeveria e Shqipërisë në fillim të vitit 2019, parashikohej rritja e buxhetit për arsimin në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pajisja e të gjithë studentëve më kartën e studentit, rishikimi i titujve akademikë, transparencë për buxhetin për arsimin dhe aspekte të tjera.
Studentët kanë kërkuar përmbushjen e premtimeve të "Paktit për Universitetin" dhe kanë paralajmëruar se nëse nuk përmbushen premtimet e institucioneve ndaj tyre do të vijojnë protestat.