Abbas: Gaza është pjesë integrale e Palestinës /   Foto: AA

Gaza është pjesë integrale e shtetit palestinez, tha të hënën presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili u takua me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në selinë presidenciale në Ramallah.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se ata diskutuan zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe përpjekjet për të ndaluar luftën.

“Presidenti përsëriti refuzimin e vendosur të Shtetit Palestinez për të zhvendosur çdo qytetar palestinez qoftë në Rripin e Gazës apo Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor (Jerusalemin), duke theksuar se Gaza është pjesë integrale e shtetit palestinez dhe çdo plan i autoriteteteve okupuese izraelite për të ndarë Rripin e Gazës nga pjesa tjetër e tokës palestineze dhe për të pushtuar ndonjë centimetër të tokës së saj ose për ta ripushtuar atë janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Duke folur për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për armëpushimin në Gaza të miratuar të hënën, Abbas theksoi rëndësinë e zbatimit të saj.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të hënën duke kërkuar një armëpushim në Gaza gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili filloi më 11 mars dhe përfundon më 9 prill.

Për rezolutën votuan 14 vende, e cila u prezantua nga dhjetë anëtarë të zgjedhur të Këshillit, ndërsa ShBA-ja abstenuan nga votimi.

Rezoluta bëri thirrje për "një armëpushim të menjëhershëm gjatë muajit të Ramazanit, të respektuar nga të gjitha palët, duke çuar në një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm".

Abbas i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të koordinojë përpjekjet për të ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore në Gaza përmes të gjitha vendkalimeve për t'i dhënë fund urisë palestineze.

I akuzuar për gjenocid, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor që vrau të paktën 32.333 palestinezë dhe plagosi 74.694.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim që lidhet me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.

AA