Presidentit i Palestinës Mahmoud Abbas tha se Izraeli ka të drejtën për siguri të plotë dhe palestinezët për të vendosur për fatin e tyre.
Në një fjalim të mbajtur në seancën e posaçme të Forumit Ekonomik të Rijadit të organizuar nga Arabia Saudite, Abbas i bëri thirrje OKB-së që të njohë anëtarësimin e plotë të Palestinës ndërsa vendeve të Evropës u bëri thirrje që "të njohin Palestinën ashtu sikur njohin Izraelin".
Abbas tha se "Izraeli ka të drejtën të garantojë siguri të plotë. Ne si palestinezë kemi të drejtën të vendosim vetë për fatin tonë dhe të jemi shtet i pavarur".
Duke shprehur shqetësimin për migrimin e detyruar në Bregun Perëndimor, Abbas tha: "Jam i shqetësuar se Izraeli pasi të përfundojë sulmet në Gaza do të kthehet në Bregun Perëndimor dhe do ta dëbojë popullatën në Jordani".
Ai nënvizoi se ShBA-ja është e vetmja palë që mund ta detyrojë Izraelin të ndalet dhe e mbajti ShBA-në përgjegjës për atë që po ndodh.
Duke tërhequr vëmendjen se populli palestinez refuzon të migrojë si nga Gaza, ashtu edhe nga Bregu Perëndimor, Abbas tha se duhet të ndalen sulmet ndaj Gazës dhe në rajon duhet të dërgohen ndihma humanitare.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, 34.454 palestinezë përfshirë të paktën 14.685 fëmijë dhe 9.670 gra janë vrarë, ndërsa 77.575 të tjerë janë plagosur.
Ndërsa raportohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.