AEM-ja: Ndotja e ajrit në Evropë për çdo vit merr mbi 1.200 të mitur.     /Foto: AA

Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e më shumë se 1.200 të miturve në Evropë çdo vit, vlerëson Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) në një raport të publikuar sot.

“Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit, që nga koha kur janë në barkun e nënës deri në moshën madhore”, vuri në dukje Agjencia me seli në Kopenhagë, duke shtuar se ajri i keq gjithashtu i vë fëmijët në rrezik më të madh të sëmundjeve kronike në moshë madhore.

Ndotja duhet të trajtohet në burim, thonë ekspertët e Agjencisë, duke thënë se emetimet nga trafiku, industria dhe ngrohja duhet të reduktohen më shpejt.

Një nga masat praktike të mbrojtura është përmirësimi i cilësisë së ajrit pranë shkollave dhe kopshteve, për shembull duke krijuar më shumë zona të gjelbra.

Pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit, nivelet e ndotësve kryesorë në shumë vende evropiane mbeten mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), thuhet në një tjetër raport të EEA-së.

Problemet janë veçanërisht të pranishme në qytete. Më shumë se 90 për qind e popullsisë urbane në vitin 2021 në vendet e BE-së duhej të jetonte me nivele të pluhurit të imët (PM2.5), ozonit (O3) dhe dioksidit të azotit (NO2) që ishin mbi rekomandimet e OBSh-së. Kjo vlen veçanërisht për Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe për Italinë.

Shkaku kryesor i ndotjes me pluhur të imët është përdorimi i lëndëve djegëse të ngurta si qymyri për ngrohje në industri.

Rreth 1.200 vdekje të parakohshme mes të miturve përfshijnë shtetet anëtare të EEA-së, duke përfshirë Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, përskaj 27 vendeve të BE-së.

"Ne nuk mund t'i konsiderojmë fëmijët si të rritur të vegjël kur bëhet fjalë për rreziqet mjedisore dhe ndotjen e ajrit", tha eksperti i ndotjes së ajrit në EEA, Gerardo Sánchez Martínez. “Frymëmarrja e tyre është më e shpejtë, ata marrin frymë më shumë nëpërmjet gojës, janë më afër tokës”, theksoi ai.


TRT Balkan / agjencitë