Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) alarmoi se gjatë vitit 2021 grimcat në ajër shkaktuan rreth 250.000 vdekje në gjithë Bashkimin Evropian.
“Këto vdekje mund të ishin shmangur nëse përqendrimet e grimcave të imëta do të kishin zbatuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh)”, tha EEA në Forumin e katërt të Ajrit të Pastër në Roterdam.
“Ndërsa kemi bërë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit, të dhënat dhe vlerësimet e fundit tregojnë se ndikimet e ndotjes së ajrit në shëndetin tonë mbeten ende shumë të larta, duke rezultuar në vdekje dhe sëmundje që mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit”, tha drejtoresha ekzekutive e EEA-s, Leena Ylä-Mononen.
Më tej, EEA vlerësoi se grimcat janë shkaktare të rasteve të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru, diabetit, sëmundjeve pulmonare, kancerit të mushkërive dhe astmës.
Përveç grimcave të imëta, ndotja është shkaktuar edhe nga dioksidi i azotit (NO2), pjesa më e madhe e të cilave gjenerohet nga transporti dhe ozoni në nivelin e tokës, ndërsa 52.000 e vdekjeve i atribuohen NO2 dhe 22.000 ozonit.