Agjentë izraelitë do të mbrojnë atletët e tyre gjatë Lojërave Olimpike / Foto: AA

Izraeli po dërgon në Paris agjentë të armatosur nga shërbimi i tij i brendshëm i sigurisë, Shin Bet, për të organizuar operacionin më të madh të sigurisë ndonjëherë për atletët e tij olimpikë.

Rreth 88 atletë izraelitë dhe ekipet e tyre do të mbrohen nga Shin Bet për shkak të shqetësimeve të supozuara të sigurisë. Megjithatë, jo të gjithë do të kenë një truproje personale, shkroi dje "Jewish Chronicle".

Izraeli ka përgatitur detajet e sigurisë për Lojërat Olimpike për "më shumë se një vit", duke dyfishuar buxhetin e sigurisë së ekipit këtë vit, tha për "Telegraph" ministri i Kulturës dhe Sporteve i Izraelit, Miki Zohar.

Ish-oficeri i agjencisë Shin Bet, Lior Akerman, tha gjithashtu për Telegraph se agjentët do të "pajisen me armë dhe teknologji" dhe do të marrin mbështetje nga forcat e sigurisë dhe policisë lokale.

Sipas tij, Shin Bet do të menaxhojë sigurinë e atletëve "në çdo fazë dhe vend", që nga mbërritja e tyre deri në hipjen në aeroplanin që kthehet në Izrael.

Atletët izraelitë kanë pranuar mesazhe kërcënuese në internet, njoftoi transmetuesi izraelit "Walla" gjatë fundjavës. Rreth 15 atletë dhe ekipet e tyre thuhet se kanë pranuar kërcënime të ngjashme me vdekje përmes emailit, duke paralajmëruar për pasoja fatale nëse vinin në Francë.

Kjo vjen mes thirrjeve në rritje nga aktivistë, politikanë dhe atletë që kërkojnë dëbimin e Izraelit nga ngjarja më e madhe sportive në botë, që do të zhvillohet nga 26 korriku deri më 11 gusht.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor. Rreth 39 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 89.700 janë plagosur.

AA