Aliyev: Uniteti i Türkiyes dhe i Azerbajxhanit janë faktorë stabiliteti.     /Foto: Ilham Aliyev/Facebook

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se uniteti dhe vëllazëria e Türkıyes dhe Azerbajxhanit janë faktorë të stabilitetit, zhvillimit dhe sigurisë.

Gjatë takimit të delegacioneve së bashku me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Azerbajxhan, Aliyev u shpreh i kënaqur me këtë vizitë që po realizohet menjëherë pas zgjedhjeve që u mbajtën në Türkiye muajin e kaluar.

Ai përgëzoi presidentin Erdoğan për fitoren e tij në zgjedhje dhe i uroi sukses.

“Jam i sigurt se miqësia dhe vëllazëria jonë do të jenë në një nivel të lartë në vitet e ardhshme, si gjithmonë. Ne diskutuam shumë çështje në takimin dypalësh. Uniteti dhe vëllazëria e Türkiyes dhe Azerbajxhanit janë faktor ndërkombëtar, faktor stabiliteti, zhvillimi dhe sigurie. Besimi i popullit turk tek ju në zgjedhjet presidenciale është vlera e lartë që u jepet shërbimeve tuaja afatgjata. Edhe në Azerbajxhan ju duan shumë. Ju jeni mysafiri ynë i çmuar”, theksoi Aliyev.

Duke uruar anëtarët e rinj të qeverisë, Aliyev tha: “Dje ministrat tanë u mblodhën. Kontaktet e tyre vazhdojnë edhe sot. Në takimet tona po u jepen rezultate punimeve tona dhe po përcaktohet udhërrëfyesi për punët që do të kryhen në vitet e ardhshme. Jam i sigurt se e njëjta do të jetë edhe me vizitën tuaj”.

Më herët, Aliyev priti homologun turk Erdoğan me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Baku.

Erdoğan mbërriti të hënën në Azerbajxhan pas vizitës së tij në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) si pjesë e turneut të tij të parë jashtë vendit pas rizgjedhjes më 28 maj.


TRT Balkan / agjencitë