Drejtori i Komunikimit të Türkiyes, Fahrettin Altun, ka theksuar se Türkiye dhe Greqia duhet t'i zgjidhin problemet e tyre në mënyrë dypalëshe, pa përfshirjen e palëve të treta.
"Aktorët rajonalë si Türkiye dhe Greqia duhet t'i zgjidhin problemet e tyre brenda kuadrit të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe interesave kombëtare, pa nevojën e udhëzimeve nga palët e treta," tha Altun të shtunën, duke iu drejtuar Forumit të Medias dhe Akademisë Turko-Greke në Istanbul.
"Kjo është pikërisht arsyeja pse nismat e biznesit të paraqitura nga Türkiye dhe Greqia janë shumë domethënëse," shtoi ai.
Më tej, drejtori i komunikimit tha se vizita e ardhshme e kryeministrit grek Kiryakos Mitsotakis të hënën ishte një mundësi vendimtare për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Duke shprehur se Türkiye është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë që do të forconte lidhjet me Greqinë, Altun siguroi se Ankaraja do të mbajë këtë qëndrim edhe në të ardhmen, duke u mbështetur në "marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe duke zhvilluar, zgjeruar dhe diversifikuar kanalet tona të dialogut".
Duke vënë në dukje se Türkiye dhe Greqia ndodhen gjeopolitikisht në një nga rajonet më sfiduese të botës, Altun kujtoi se të dyja vendet janë para së gjithash fqinjë, lidhjet e të cilëve janë formuar nga afërsia gjeografike.
Në fjalimin e tij në forum të shtunën, Altun theksoi më tej se aktorët globalë janë "për fat të keq joefektivë dhe politikisht të mangët" në sistemin aktual ndërkombëtar.
"Ne po jetojmë në një periudhë ku aktorët rajonalë të fortë, të qëndrueshëm dhe të begatë duhet të jenë efektivë”, tha ai.