Ankara, shfaqet premiera e filmit dokumentar "Dëshmi" për krimet në Gaza     / Foto: AA

Në kryeqytetin turk Ankara është mbajtur premiera e filmit dokumentar “Dëshmi” i prodhuar nga Anadolu Agency, i cili zbulon qartë krimet e luftës të Izraelit në Rripin e Gazës.

Në premierën e filmit morën pjesë zyrtarë të shumtë, mes të cilëve kreu i Zyrës së Komunikimit në Kabinetin e Presidentit turk, Fahrettin Altun, si dhe kryetari i Bordit të Drejtorëve dhe Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency, Serdar Karagoz.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Altun theksoi se Türkiye nuk do të heshtë kurrë ndaj masakrës dhe padrejtësisë që Izraeli po u bën palestinezëve.

"Në një mjedis ku Izraeli po masakron në mënyrë të papërgjegjshme palestinezët dhe vetë të vërtetën, ne si turq nuk do të heshtim dhe do të flasim publikisht përmes mediave tona. Ne do të vazhdojmë të themi të vërtetën", tha ai.

Altun kujtoi se fillimisht në këtë kuptim u botua libri “Dëshmi”, e më pas filmi dokumentar.

Siç tha ai, “Dëshmia” është një projekt historik sepse ky dokumentar regjistroi çdo krim, krim lufte dhe akt gjenocidi të kryer nga Izraeli që nga 7 tetori në Gaza.

Ai vuri në dukje se Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB), punonjës të organizatave ndërkombëtare si "Amnesty International" dhe "Human Rights Watch" kontribuan në këtë dokumentar dhe ndanë informacione të rëndësishme për luftën në Gaza.

Altun theksoi se sado mirë të bëhet dokumentari, do të duhet shumë kohë për të shpjeguar të gjitha krimet e luftës të kryera nga Izraeli dhe plagët që ai ka shkaktuar në ndërgjegjen e njerëzimit.

Ai theksoi se Izraeli po përpiqet të shkatërrojë popullin palestinez dhe të kryejë gjenocid para syve të gjithë botës.

“Filmi dokumentar “Dëshmi” tregon këtë gjenocid, i cili me këmbëngulje injorohet dhe tentohet të mbulohet, me prova. Besoj se falë këtij dokumentari e gjithë bota do të shohë sot dhe nesër se si rreth 34 mijë njerëz, përfshirë 14 mijë fëmijë, u vranë para syve të botës”, tha Altun.

Për këtë, siç tha ai, ushtria izraelite vret edhe gazetarët që përpiqen t'i zbulojnë botës të vërtetën.

Në fund, Altun përgëzoi punonjësit dhe drejtuesit e Anadolu Agency, veçanërisht ata që kontribuan në librin dhe dokumentarin “Dëshmi”, si dhe gazetarët që kryejnë heroikisht punën e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë