Arabia Saudite ka bërë të ditur se do të sigurojë 1,2 miliardë dollarë në mbështetje për Jemenin për të mbuluar deficitin buxhetor.
Agjencia saudite e shtypit SPA raportoi se synimet kryesore të kësaj ndihme të re ekonomike janë që vendi të ndihmojë Jemenin në adresimin e deficitit buxhetor dhe forcimin e lidhjeve ekzistuese midis Arabisë Saudite dhe Jemenit.
Gjithashtu, Arabia Saudite synon të përmbushë kërkesën e qeverisë së Jemenit për ndihmë në menaxhimin e mungesës së buxhetit dhe të ofrojë mbështetje për Këshillin Presidencial të Jemenit.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014 kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër rebelëve Houthi që nga marsi i vitit 2015.