Po bëhet gati një vit nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, luftë e cila destabilizoi Evropën dhe thelloi ndarjen mes Rusisë dhe Perëndimit. Bota perëndimore, NATO-ja dhe BE-ja kanë dënuar agresionin rus dhe janë vendosur në krah të Ukrainës.
Përveç sanksioneve kundër Rusisë, Ukraina po ndihmohet edhe me armë moderne, ndihma financiare dhe humanitare. Më shumë se 30 shtete deri tani i kanë dërguar armë Kievit, për ta ndihmuar mbrojtjen e territorit.
Ukraina vazhdimisht bën thirrje për një qasje më aktive të vendeve aleate. Qeveria e Kievit ka kërkuar zyrtarisht armët më moderne në arsenalin perëndimor. Deri tani, një pjesë e kërkesave të tyre janë plotësuar.
Koalicioni i tankeve
Gjermania në janar njoftoi se do t’i dërgojë Ukrainës tanket e prodhimit gjerman Leopard, ndër tanket më moderne në funksion në mbi 16 shtete. Berlini do të dërgojë 14 tanke të tilla, ndërsa i dha dritën jeshile edhe Polonisë që ta furnizojë Ukrainën me tanket Leopard 2A6.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e mirëpriti vendimin e Gjermanisë dhe apeloi që edhe vende të tjera të kontribuojnë me dërgimin e tankeve të prodhimit gjerman.
“Koalicioni i tankeve u formua. Secili që kishte dyshime se kjo mund të ndodhë ndonjëherë, tani e sheh – për Ukrainën dhe partnerët e saj asgjë nuk është e pamundur. U bëj thirrje të gjithë partnerëve, që kanë tanke Leopard 2 në funksion, t’i bashkëngjiten koalicionit dhe të na dërgojnë sa më shumë që është e mundur”, tha Kuleba.
Përveç Leopard 2, Ukraina ka pranuar edhe tanke të tjera nga shumë vende. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të dërgojnë në Ukrainë 31 tanke M1 Abrams. Mbretëria e Bashkuar u pajtua të furnizojë Ukrainën me 14 tanke Challenger 2, tankun kryesor i armatës britanike. Ndërsa që nga fillimi i luftës, Ukraina ka pranuar më shumë se 200 tanke T-72 nga Polonia, Çekia dhe vende të tjera.
Kërkesa për avionë luftarakë
Pas dritës jeshile për tanket, Ukraina po synon hapin e radhës të madh në aleancën me Perëndimin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar nga vendet perëndimore edhe avionë luftarakë, për t’i dhënë një shtysë më të madhe Kievit në vitin e dytë të luftës me Rusinë.
Deri tani, Ukraina ka pranuar vetëm avionë të prodhimit sovjetik.
Ata synojnë të përforcojnë forcën ajrore me F-16 të prodhimit amerikan dhe avionë të tjerë luftarakë, të cilët i kërkon nga aletatët perëndimorë.
Mes të tjerash, Ukrainës i janë dërguar edhe sistemi të mbrojtjes ajrore Patriot të ShBA-së dhe S-300 të prodhimit rus, dronë të ndryshëm, artileri e rëndë, mjete transportuese dhe të tjera.