Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, diskutuan për krizën në Gaza dhe theksuan rëndësinë për sigurimin e armëpushimit në rajon sa më shpejt të jetë e mundur si dhe lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmave humanitare për Gazën.
Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se Blinken priti në Washington kreun e OKB-së, Guterres. Gjatë takimit u bisedua për krizën në Gaza. Blinken dhe Guterres ranë dakord për rëndësinë e arritjes së një armëpushimi mes palëve "pa vonesë".
Ata theksuan se prioriteti kryesor është sigurimi i armëpushimit në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur dhe lirimi i pengjeve dhe rritja e ndihmave humanitare për Gazën.
Blinken falënderoi Guterresin për mbështetjen që ka dhënë ndaj propozimit për armëpushim me 3 faza të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden. Blinken dhe Guterres theksuan se duhet të rriten përpjekjet për të përmbushur në mënyrë urgjente nevojat themelore të palestinezëve që kanë nevojë për ndihmë në Gaza.
Sipas deklaratës, Blinken dhe Guterres diskutuan në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe për situatën aktuale lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe Sudan.