Artistët me peticion për përjashtimin e Izraelit nga Bienalja e Venecias.     /Foto: La Biennale di Venezia/Facebook

Përpara Bienales së Venecias, e cila mbahet çdo dy vjet në Itali, ka nisur një fushatë me titullin "Jo pavijonit të gjenocidit në Venecia" për të përjashtuar Izraelin nga bienalja për shkak të mizorive të tij ndaj palestinezëve.

Grupi i artistëve ka organizuar një fushatë në internet dhe ka thirrur për nënshkrimin e një apeli ku shprehet se platforma e artit nuk duhet të përfaqësojë shtetin që kryen mizori kundër palestinezëve në Gaza.

Ata e quajnë pavijonin e Izraelit si "pavijonin e gjenocidit" dhe bëjnë thirrje për të mos lejuar pjesëmarrjen e tij në Bienalen e Venecias.

Në deklaratën e tyre, ata shprehin shqetësimin për numrin e vdekjeve nga gjenocidi në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke akuzuar Izraelin për vrasjen e më shumë se 12 mijë fëmijëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës mjekësore.

Ata gjithashtu kundërshtojnë çdo përfaqësim zyrtar të Izraelit në skenën kulturore ndërkombëtare, duke e quajtur atë si "miratim të politikave dhe gjenocidit në Gaza."

Mësohet se deri më tani, fushata ka mbështetjen e mbi 17 mijë personave, përfshirë artistë, kuratorë dhe emra të njohur nga komuniteti i artit.

Megjithatë, ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, e ka refuzuar kategorikisht peticionin e artistëve, duke e quajtur atë "të papranueshëm" dhe duke thënë se ekspozita është një zonë lirie.

Ekspozita e 60-të Ndërkombëtare e Artit e Bienales së Venecias, e kuruar nga braziliani Adriano Perosa, do të hapë dyert e saj më 20 prill dhe do presë vizitorë deri më 24 nëntor, me temën "Stranieri ovunque", që do të thotë "Të huajt kudo".

AA