Përgjatë historisë skena politike në mbarë botën asnjëherë nuk ka qenë e qetë. Ka pasur momente kur liderë shtetërorë dhe figura të njohura politike të ballafaqohen me sulme dhe atentate të llojit të ndryshëm. Disa nga ta kanë pësuar tragjikisht, por ka edhe nga ata që i kanë shpëtuar vdekjes.
Ndërkohë TRT Balkan ka bërë një përmbledhje të sulmeve, gjegjësisht atentateve ndaj eksponentëve të lartë politikë të botës gjatë vitit 2022.
Tre nga katër sulmet kaluan pa tragjedi, ndërsa një lider botëror humbi jetën si pasojë e atentatit.
Vrasja e Shinzo Abes
Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq më 8 korrik të vitit 2022 pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara.
Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.
Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë, por një orë e gjysmë më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autori i vrasjes kishte mohuar çdo motiv politik për atentatin
Abe ishte kryeministri më jetëgjatë në pushtet. Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020.
Atentati ndaj Imran Kahn
Më 3 nëntor të vitit 2022 një person i armatosur ka hapur zjarr ndaj automjetit që po transportonte ish-kryeministrin pakistanez, duke e plagosur lehtë atë dhe disa nga mbështetësit e tij.
Sulmi ndodhi në distriktin Wazirabad në provincën lindore Punjab, ku Khan po udhëtonte me një kolonë të madhe makinash që po shkonte drejt kryeqytetit, Islamabad, si pjesë e fushatës së tij që tentonte ta detyrojë qeverinë aktuale të mbajë zgjedhje të parakohshme.
Zotimin për këtë "marshim të gjatë" drejt Islamabadit, Khan e kishte dhënë ditën që gjykata e lartë zgjedhore në Pakistan ia ndaloi ish-kryeministrit që të mbajë poste publike për pesë vitet e ardhshme.
Motivet e atentatit ndaj Khan sipas sulmuesit të arrestuar ishin zemërimi nga zhurma që vinte nga autokolona gjatë ezanit.
Ndërkohë vetë Khan njihet si njeri tejet fetar.
Ndryshe, 70 vjeçari Imran Khan ka shërbyer si kryeministër i Pakistanit për 4 vite, nga gushti i vitit 2018 deri në prill të vitit 2022.
Tentativa për vrasje e zv/presidentes së Argjentinës
Më 2 shtator të vitit 2022, zëvendëspresidentja e Argjentinës ka arritur t’i shpëtojë për mrekulli një atentati teksa një person u përpoq ta godiste me armë.
Cristina Fernandez de Kirchner ishte duke përshëndetur mbështetësit jashtë shtëpisë së saj kur një djalë doli nga turma dhe i drejtoi një pistoletë në fytyrë.
Sipas autoriteteve zyrtare, autori ka qenë një 35-vjeçar nga Brazili, i cili u arrestua nga policia.
Cristina Fernandez de Kirchner është ndër figurat më të shquara politike të Argjentinës, pasi ka shërbyer si Presidente nga 2007 deri në 2015, përpara se të merrte detyrën si zëvendëspresidente në vitin 2019.
Mbështetësit e saj kanë mbajtur tubime jashtë shtëpisë së saj për disa ditë, në përgjigje të një gjyqi në vazhdim në të cilin ajo akuzohet për korrupsion gjatë mandatit të saj si Presidente.
Mirëpo, ajo këtë të martë më 6 dhjetor të vitit 2022 u dënua me 6 vjet burg nën akuzat për një skemë mashtrimi nëpërmjet së cilës përvetësoi 1 miliard dollarë duke favorizuar dhënien e projekteve publike ndërsa ishte në pushtet.
Asaj gjithashtu i është ndaluar përjetësisht mbajtja e posteve publike.
Sulmi i fundit, grusht për Sali Berishën
Jo më larg se para disa ditësh, në Shqipëri u sulmua ish-kryeministri dhe lideri i opozitës i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai u godit me grusht në fytyrë nga një qytetar në Tiranë, teksa opozita shqiptare nisi protestën kundër Qeverisë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Më pas, personi që sulmoi Berishën u shoqërua nga policia, por kreu i PD-së kërkoi që ai të lirohej.
Djali ishte i moshës 30-vjeçare më pas i identifikuar si Gert Shehu dhe jetonte në Babrru u mor nga rojet e sigurisë të Berishës dhe u shoqërua për në selinë e PD-së.
Ndërkohë edhe pse me fytyrën e mavijosur ku dukej qartë shenja e dhunës Berisha ka vijuar dhe marshimin dhe më pas është ngritur në podium ku dhe mbajti fjalën e tij.
Ndryshe, Sali Berisha është 78-vjeçar me një karrierë të bujshme politike, që shërbeu si presidenti i dytë i Shqipërisë në vitet 1992–1997 dhe president i parë i zgjedhur nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e lira demokratike pas rënies së regjimit komunist.
Po ashtu, Berisha ka qenë kryeministër i Shqipërisë nga 2005 deri më 2013.