Australia ka anuluar njohjen nga qeveria e mëparshme të Kuds-it si kryeqytet i Izraelit dhe tha se çështja duhet të zgjidhet si pjesë e bisedimeve të paqes midis Izraelit dhe Palestinës.
“Australia është e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete në të cilën Izraeli dhe një shtet i ardhshëm palestinez bashkëjetojnë, në paqe dhe siguri, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, tha Ministrja e Jashtme Penny Wong të martën gjatë një konference për media.
Në vitin 2018, qeveria e koalicionit konservator e udhëhequr nga Scott Morrison njohu zyrtarisht Kuds-in si kryeqytetin e Izraelit, duke përmbysur politikën e Lindjes së Mesme për dekada.
“Kjo e ndryshon njohjen nga qeveria Morrison të Kuds-it si kryeqytet i Izraelit. Pozicioni i Australisë ka qenë gjithmonë dhe mbetet në Tel Aviv,” tha Wong.
Ajo tha se lëvizja e qeverisë së mëparshme në 2018 ishte një “lojë cinike, e pasuksesshme, për të fituar vendin e Wentworth në një zgjedhje paraprake”.
“Ajo që njerëzit mendonin se kryeministri i asaj kohe ishte duke u përpjekur të luante politikën e jashtme për të fituar vota në vend. Për këtë arsye, e bëra të qartë në atë kohë, ne rikonfirmuam pikëpamjen tonë se Kudsi është një çështje e statusit përfundimtar. Çfarë kuptimi kanë ato fjalë? Kjo do të thotë që duhet të zgjidhet nëpërmjet negociatave mes palëve,” shtoi Wong.
Zonat e pushtuara
Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Donald Trump, e njohu zyrtarisht Kuds-in si kryeqytetin e Izraelit, duke përmbysur politikën e ShBA-së për dekada të tëra për të qëndruar neutral ndaj qytetit të shenjtë.
Masa e ShBA-së shkaktoi protesta të gjera në territoret palestineze dhe në disa vende mes dënimeve nga vendet arabe dhe myslimane.
Aleatët evropianë të Uashingtonit e kanë kritikuar gjithashtu masën, duke paralajmëruar se vendimi i ShBA-së do të përkeqësonte marrëdhëniet midis palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe do të nxiste trazira në rajon.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kuds-in, gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Ajo aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, duke e pretenduar atë si kryeqytetin “e përjetshëm” të Izraelit - një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
E drejta ndërkombëtare e sheh Bregun Perëndimor dhe Kuds-in si “territor të pushtuar” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebreje në tokë si të paligjshme.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se po zhvillon një fushatë agresive për të “judaizuar” qytetin historik duke zhdukur identitetin e tij arab dhe islam dhe duke dëbuar banorët e tij palestinezë.
Reagon Tel Aviv-i
Ministria e Jashtme izraelite thirri ambasadorin australian në Tel Aviv lidhur me veprimin e Kanberrës për të anuluar njohjen e Kudsit si kryeqytet izraelit.
Stacioni zyrtar i radios së ushtrisë izraelite dhe faqja e lajmeve i24 konfirmuan se i dërguari australian Paul Griffiths u thirr për sqarime rreth këtij vendimi.
Kryeministri izraelit Yair Lapid, në një deklaratë, tha: "Kudsi do të mbetet kryeqyteti i përjetshëm i Izraelit".
Duke thënë se vendimi u mor nga Australia si një përgjigje e nxituar ndaj një raporti të pasaktë në media, ai shtoi: "Ne vetëm mund të shpresojmë se qeveria australiane do t'i menaxhojë çështjet e tjera më seriozisht dhe profesionalisht".
Lapid tha se vendimi australian "nuk do të ndryshojë asgjë".
18 Tet 2022
Australia e anulon njohjen e Kuds-it si kryeqytet të Izraelit
Ministri i Punëve të Jashtme i Australisë tha se qëndrimi i kahershëm është se statusi i Kuds-it duhet të zgjidhet ndërmjet autoriteteve izraelite dhe palestineze.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.