Avionët izraelitë fluturojnë mbi Bejrut për herë të parë që nga armëpushimi                    Foto: AA

Avionët luftarakë izraelitë thyen barrierën e zërit mbi kryeqytetin libanez Bejrut dhe periferitë e tij jugore sot në mbrëmje, duke shënuar incidentin e parë të tillë që nga marrëveshja e armëpushimit e 27 nëntorit.

Përshkallëzimi përkon me raportimet se Izraeli po shtyn tërheqjen e forcave të ushtrisë së tij nga Libani jugor, pavarësisht afatit përfundimtar më 18 shkurt.

Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, avionët luftarakë izraelitë kryen fluturime në lartësi të ulëta mbi Bejrut, rrethin Matn në Malin Liban dhe pjesë të rajonit Bekaa në Libanin lindor.

Zyrtarët libanezë mohuan sot çdo marrëveshje për të zgjatur afatin për tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor.

Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi që nga 27 nëntori, duke i dhënë fund bombardimeve të ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut që u përshkallëzuan në një konflikt të plotë shtatorin e kaluar.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të përfundonte tërheqjen e tij nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri në 18 shkurt pasi Izraeli refuzoi ta zbatonte.

Libani ka raportuar rreth 900 shkelje izraelite të armëpushimit, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra njerëz, duke përfshirë gra dhe fëmijë, që nga 27 nëntori.

TRT Balkan / agjencitë