Azerbajxhani përkujton 32-vjetorin e masakrës në Hoxhali / Foto: AA

Sot, Azerbajxhani shënon 32-vjetorin e masakrës në Hoxhali, vrasjes masive të civilëve azerbajxhanas nga forcat armene në qytetin Hoxhali në rajonin e Karabakut.

Rajoni i Karabakut ka qenë vendi i vrasjeve dhe varrimeve masive që nga Lufta e Parë e Karabakut në fillim të viteve 1990, gjatë së cilës ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun - një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit - dhe shtatë rajone fqinje.

Qyteti Hoxhali përjetoi një ofensivë armene dy-orëshe që vrau 613 civilë azerbajxhanas – përfshirë 106 gra, 63 fëmijë dhe 70 të moshuar – dhe plagosi rëndë 487 njerëz, sipas shifrave të Azerbajxhanit.

Rreth 150 nga 1.275 azerbajxhanas të kapur nga armenët gjatë ngjarjeve në Hoxhali janë ende të zhdukur, ndërsa tetë familje u shuan plotësisht.

Aktivitete përkujtimore po mbahen në gjithë vendin, duke përfshirë kryeqytetin Baku, për të nderuar të vrarët.

Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit deklaroi në një komunikatë se Armenia ka kryer një "politikë të spastrimit etnik dhe gjenocidit" kundër azerbajxhanasve, si dhe ka kryer "krime kundër njerëzimit" në vendbanime të ndryshme në rajon.

Ministria njoftoi se një nga krimet më të rënda është kryer kundër banorëve të qytetit Hoxhali.

Në deklaratë thuhet se përdorimi i armëve të rënda, materialet hetimore për krimet e kryera kundër civilëve vendas, dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe rrëfimi i zyrtarëve më të lartë armenë në atë kohë janë dëshmi se ngjarja ishte një krim i planifikuar dhe i qëllimshëm i gjenocidit.

Më tej, thuhet se e drejta ndërkombëtare humanitare, ligjet për të drejtat e njeriut dhe konventat e ndryshme ndërkombëtare janë shkelur rëndë në këtë masakër, duke treguar se dështimi për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Armeni ka çuar në vazhdimin e praktikave ekzistuese.

“Në këtë këndvështrim, mbështetja e bashkësisë botërore për masat e marra në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, si dhe bashkëpunimi në këtë fushë është i një rëndësie kyç”, thuhet në deklaratë.

“Në këtë përvjetor të 32-të të tragjedisë, ne ruajmë me respektin më të thellë kujtimet e viktimave të pafajshme të urrejtjes etnike armene dhe krimeve gjenocidale, përfshirë gjenocidin në Hoxhali”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit.

AA