ShBA-ja uron Türkiyen në zgjidhjen e mosmarrëveshjes Azerbajxhan-Armeni. / Foto: AA

Pas vizitës që ministri turk i Punëve të Jashtme Hakan Fidan, zhvilloi në Baku, ShBA-ja ka deklaruar se mirëpret "rolin produktiv" që Türkiye ka luajtur në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Matthew Miller, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për media.

Në përgjigje të pyetjes nga Anadolu, Miller tha se, "I bashkohemi deklaratave të ministrit të jashtëm (Fidan) se paqja është e mundur dhe ne do të mbështesim bisedimet e drejtpërdrejta mes dy palëve (Azerbajxhanit dhe Armenisë) për ta arritur këtë".

"E mirëpresim luajtjen e rolit produktiv të Türkiyes në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje", tha Miller.

Më tej, Miller njoftoi se një prej çështjeve në takimet mes sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit Fidan ka qenë mosmarrëveshja në fjalë.

"Kjo (mosmarrëveshje) është një çështje që ata e kanë diskutuar rregullisht si në takimet personale apo në bisedat telefonike", tha ai.

Ministri Fidan gjatë vizitës së tij në Baku vuri në dukje se mbështesin bisedimet e paqes që vazhdojnë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

"Nuk shikojmë ndonjë pengesë për normalizimin me Armeninë. Presim që (Armenia) të plotësojë marrëveshjen e paqes me Azerbajxhanin", tha Fidan.

Në një deklaratë të përbashkët më 7 dhjetor nga presidenca e Azerbajxhanit dhe kryeministria e Armenisë u njoftua se si rezultat i bisedimeve të kryera mes Bakut dhe Jerevanit është arritur marrëveshje për hedhjen e hapave të rëndësishëm për forcimin e besimit mes dy shteteve.

Në një deklaratë tjetër më 13 dhjetor nga Azerbajxhani u theksua se në kuadër të shkëmbimit të pengjeve u liruan 32 ushtarë armenë dhe se në shkëmbimin e zhvilluar në rajonin kufitar Gazah edhe Armenia dorëzoi dy ushtarë azerbajxhanas.

Po ashtu, në deklaratë u theksua se ushtarët armenë u liruan pas kontrollit për gjendjen e tyre shëndetësore nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe pas konfirmimit se gjendja e tyre është e mirë.

TRT Balkan / agjencitë