Parlamenti i Armenisë ratifikon Statutin e Romës. / Photo: AA

Parlamenti armen ratifikoi sot Statutin e Romës, me çka e fut vendin nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) me seli në Hagë, duke i dërguar një sinjal negativ aleatit të saj Rusisë.

Kryetari i parlamentit armen ose Asamblesë Kombëtare, Alen Simonyan, njoftoi se 60 deputetë votuan për bashkimin me mekanizmin ndërkombëtar dhe 20 votuan kundër tij.

"60 deputetë votuan pro ratifikimit, 20 kundër. Vendimi është marrë", tha Simonyan në seancën parlamentare, e cila u transmetua drejtpërdrejt në shumë kanale lajmesh.

Në mars, GJNP-ja lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vlladimir Putin, duke e akuzuar atë për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Moska e ka mohuar akuzën.

Armenia vendosi të bashkohet me GJNP-në në mars, duke shkaktuar një reagim negativ nga Rusia.

Moska i quajti qëllimet e Jerevanit "absolutisht të papranueshme", duke marrë parasysh urdhrin e arrestit të GJNP-së kundër presidentit Putin.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se Armenia, një aleate e Moskës, ishte paralajmëruar "për pasojat jashtëzakonisht negative" të një lëvizjeje të tillë në marrëdhëniet dypalëshe.

Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, i miratuar në vitin 1998 në kryeqytetin e Italisë, është traktati që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Mbi 12 shtete janë aktualisht palë në statut.


AA