Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Izraelit, Mossad, David Barnea, mbështet ushtrinë izraelite për të vazhduar sulmet e saj në Rripin e Gazës pas fazës së parë të marrëveshjes së mundshme të shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit me Hamasin. Sipas lajmit të gazetës izraelite "Haaretz", Barnea mori pjesë në kabinetin e sigurisë, i cili u mblodh mbrëmë për të diskutuar mbi fazën aktuale të negociatave për shkëmbimin e të burgosurve. Barnea i informoi ministrat në takim për pikën më të fundit të arritur në negociatat për shkëmbimin e të burgosurve.
Drejtori i Mossad-it, ashtu si kryeministri Benjamin Netanyahu, argumentoi se ushtria izraelite duhet të rifillojë sulmet e saj në Gaza pas fazës së parë të marrëveshjes së mundshme të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve. Ai pohoi se sulmet në rritje në Gaza ditët e fundit "kanë dhënë kontribut pozitiv" në negociatat e shkëmbimit të të burgosurve.
Në deklaratën e tij më 7 korrik, Netanyahu argumentoi se marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që do të arrihet në Gaza "duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të sulmuar sërish Gazën derisa të arrihen qëllimet e luftës".
Propozimi i marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, i cili negociohet në mënyrë indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, përbëhet nga tri faza.
Faza e parë: armëpushimi i menjëhershëm, lirimi i grave, të burgosurve të moshuar dhe të plagosur, shkëmbimi i të burgosurve palestinezë, tërheqja e forcave izraelite nga zonat e banuara në Gaza, shtimi i ndihmës humanitare, rindërtimi i shërbimeve bazë, kthimi i civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë veriun e Gazës. Parashikohet që komuniteti ndërkombëtar të japë kontributin e nevojshëm për strehim.
Negociatat për fazën e parë do të vazhdojnë deri në përfundimin e negociatave për armëpushimin nëse zgjasin më shumë se 6 javë. Pas marrëveshjes së palëve, në fazën e dytë kërkohet të lirohen të gjithë robërit e mbetur dhe Izraeli të tërhiqet nga Gaza për t'i dhënë fund krizës njëherë e mirë.
Në fazën e tretë është planifikuar të nisë një plan rindërtimi për Rripin e Gazës që do të zgjasë disa vite dhe të dorëzohen trupat e të burgosurve të vdekur.