BE-ja, Belgjika dhe Holanda mbështesin urdhërarrestin për Netanyahun / Foto: AP

Reagime të shumta politike në mbështetje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhërarrest ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Bashkimi Evropian dhe disa nga vendet anëtare të BE-së thanë se urdhërarresti i GjNP-së duhet të respektohet dhe të zbatohet nga të gjithë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i cili ndodhet për takime në Jordani, ka bërë vlerësime lidhur me lëshimin e urdhërarrestit të GjNP-së kundër Netanyahut dhe Gallantit.

"Vendimi nuk është politik. Vendimi i gjykatës duhet të respektohet dhe të zbatohet", tha kryediplomati i BE-së, Borrell.

Duke u bërë thirrje të gjitha vendeve të BE-së, Borrell tha: "Të gjitha vendet anëtare të Gjykatës, ku përfshihet edhe BE-ja, i ftoj të zbatojnë vendimin".

Zv/kryeministrja e Belgjikës mbështet urdhërarrestin e GjNP-së për Netanyahun

Zëvendëskryeministrja e Belgjikës, Petra De Sutter, tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza duhet të zbatonte urdhrin e arrestit dhe të ndalonte partneritetin me Izraelin.

Në deklaratën në llogarinë e saj në mediat sociale, De Sutter tha: "Evropa duhet të praktikojë vendimin, të vendosë sanksione ekonomike, të pezullojë Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin dhe të mbështesë këto urdhra arresti. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk mund të mbeten të pandëshkuara".

Holanda do të respektojë vendimin e gjykatës në Hagë për urdhërarrestin ndaj Netanyahut

Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Caspar Veldkamp, ka bërë të ditur se nëse vjen në Holandë ata do ta arrestojnë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të cilin është lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale duke u akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza.

Në një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Përfaqësuesve, Veldkamp theksoi se respektojnë urdhrin e arrestit që gjykata në Hagë ka lëshuar për Netanyahun.

Ai theksoi se do ta arrestojnë Netanyahun nëse vjen në Holandë.

"Tashmë Holanda nuk do të vendosë më kontakte të panevojshme me Netanyahun. Është e detyrueshme që Holanda të respektojë Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale", tha Veldkamp.

Në deklaratën e GjNP-së bëhet e ditur se për Netanyahun dhe Gallantin është lëshuar një urdhër-arresti për shkak të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në Rripin e Gazës.

Gjykata hodhi poshtë gjithashtu kundërshtimet e Izraelit ndaj juridiksionit të GjNP-së dhe vendosi se ai ka juridiksion mbi krimet e kryera në territorin palestinez.

TRT Balkan / agjencitë