Samiti BE - Ballkani Perëndimor: Një vizion i përbashkët për të ardhmen      / Foto: Këshilli Evropian

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor miratuan një deklaratë në samitin e sotëm në Bruksel, ku thuhet se një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Deklarata u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli ka vendosur kundër Moskës në përgjigje të luftës në Ukrainë.

“Një vizion i përbashkët i së ardhmes përfshin vlera të përbashkëta dhe përgjegjësi të përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt harmonizimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat”, thuhet në deklaratë.

Duke treguar për një mjedis gjeostrategjik gjithnjë e më të ndërlikuar, të dominuar nga lufta në Ukrainë dhe kriza në Lindjen e Mesme, deklarata thekson se siguria evropiane dhe globale mbetet në rrezik.

“Ai mjedis tregon rëndësinë e unitetit dhe qëllimit brenda familjes evropiane dhe partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilat krijojnë lidhje edhe më të ngushta dhe bashkëpunim më të mirë të integruar me BE-në bazuar në parime dhe vlera të përbashkëta”, thuhet në tekstin e thuhet në dokument.

U rikonfirmua përkushtimi i plotë dhe i qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe u bë apel për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtet e drejta dhe strikte.

“BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u angazhuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave e vlerave themelore dhe shtetit të së drejtës. Në pajtim me Deklaratën e Tiranës të dhjetorit 2022, BE-ja nënvizon nevojën për arritjen e reformave të qëndrueshme dhe të pakthyeshme për shtetin e së drejtës, për funksionimin e institucioneve demokratike, ekonominë dhe reformën në administratën publike. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërës vendimtarë të çdo sistemi demokratik”, thuhet në deklaratë.

BE-ja thotë se mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor, partneri tregtar dhe donatori më i madh në rajon, ndërsa partnerët duhet gjithashtu të kenë komunikim të qartë për angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe reformave të nevojshme.

“BE-ja thekson nevojën për angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve si dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, duke përfshirë Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, thuhet në deklaratë.

Pjesëmarrësit e samitit më tej thanë se vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Përfaqësueses Speciale të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

“Nga këto dy palë presim angazhim konstruktiv në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

Më tej, ndër të tjera thuhet se BE-ja synon afrimin e Ballkanit Perëndimor me vetveten, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë gjatë procesit të zgjerimit.

Njerëzit nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga viti i ardhshëm.

“BE-ja apelon për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha format e tij, duke përfshirë parandalimin e radikalizimit dhe financimin e terrorizmit”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e publikuar pas përfundimit të samitit.

TRT Balkan / agjencitë