Ukraina dhe Moldavia hapin bisedimet për anëtarsim në BE      / Foto: AA

Këshilli Evropian ka hapur rrugën për zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, duke njoftuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

“Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe i dha statusin e kandidatit Gjeorgjisë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në platformën sociale X.

“Dhe, BE-ja do të hapë negociatat me Bosnjë e Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe ka ftuar komisionin të raportojë deri në muajin mars për të marrë një vendim të tillë”, shkroi Michel.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti vendimin një “fitore për Ukrainën” dhe “fitore për gjithë Evropën”.

"Falënderoj të gjithë ata që punuan që kjo të ndodhë dhe të gjithë ata që ndihmuan. Përgëzoj çdo ukrainas për këtë ditë. Historia është ndërtuar nga ata që nuk lodhen duke luftuar për liri”, tha presidenti i Ukrainës, Zelenskyy.

Kujtojmë që Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e kandidatit në qershor të vitit 2022.

TRT Balkan / agjencitë