Bashkimi Evropian organizon të hënën, më 20 mars, një konferencë donatorësh për të ndihmuar të prekurit nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit në Türkiye dhe Siri.
Brukseli u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë dhe donatorëve globalë që të tregojnë solidaritet me njerëzit në Türkiye dhe Siri, duke mobilizuar donacione në përputhje me shkallën dhe madhësinë e dëmit.
“Konferenca do të jetë e hapur për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, për vendet fqinje, OKB-në, institucionet financiare ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin përpjekjet e ndihmës. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) po përgatit aktualisht një vlerësim të nevojave pas katastrofës për të informuar donatorët përpara konferencës për nevojat e rindërtimit dhe rehabilitimit”, thuhet në njoftimin e Bashkimin Evropian.
Konferenca është organizuar në bashkëpunim edhe me autoritetet turke. Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ftoi aktorët ndërkombëtarë, shtetet, organizatat politike dhe ekonomike që t’i bashkëngjiten këtij aksioni.
“Ftoj të gjitha kombet dhe të gjithë donatorët, publikë dhe privatë, të kontribuojnë dhe nderojnë kujtimin e jetëve të humbura, heroizmin e atyre që u përgjigjën të parët dhe më e rëndësishmja për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë për të mbijetuarit”, tha Von der Leyen.
Çfarë solli konferenca e donatorëve për Shqipërinë?
Më 26 nëntor të vitit 2019, një tërmet 6.4 ballësh goditi Durrësin e Shqipërisë, duke shkaktuar mbi 50 viktima.
Në shkurt të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian organizoi një Konferencë Donatorësh për Shqipërinë në Bruksel. Në atë konferencë, për Shqipërinë u mblodhën gjithsej 1,15 miliardë euro, në formë në granteve, projekteve dhe huave. Prej tyre, gati 300 milionë euro ishin grante të pakthyeshme.