BE-ja shprehu të enjten kënaqësinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Etiopisë dhe Somalisë, duke njohur rolin "e rëndësishëm" të Türkiyes në proces.
Zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme Anouar El Anouni, gjatë një konference për shtyp, komentoi Deklaratën e Ankarasë të nënshkruar të mërkurën midis Etiopisë dhe Somalisë, me Türkiyes që vepron si lehtësuese.
“Bashkimi Evropian mirëpret deklaratën e rënë dakord në Ankara më 11 dhjetor”, tha El Anouni.
Ai vuri në dukje se rezoluta thekson rëndësinë e respektit të ndërsjellë dhe dialogut në uljen e tensioneve në të gjithë Afrikën.
Ai përsëriti mbështetjen e BE-së për “unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial” të Somalisë dhe Etiopisë, “në përputhje me parimet e ngulitura në të drejtën ndërkombëtare”.
Duke pranuar rolin kyç të Türkiyes për lehtësimin, El Anouni tha: "Ne e njohim rolin e rëndësishëm të marrë nga Republika e Türkiyes në arritjen e kësaj marrëveshjeje".
Ai gjithashtu pohoi gatishmërinë e BE-së për t'i mbështetur përpjekjet e mëtejshme dhe iniciativat ndërmjetësuese.
- Deklarata e Ankarasë
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti homologun e tij somalez Hassan Sheikh Mohamud dhe kryeministrin etiopian Abiy Ahmed në Ankara të mërkurën përpara se të tre liderët ta shpallnin Deklaratën e Ankarasë.
“Ne kemi bërë hapin e parë drejt një fillimi të ri të bazuar në paqen, bashkëpunimin midis Somalisë dhe Etiopisë”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në kryeqytetin turk.
Udhëheqësit e Somalisë dhe Etiopisë "riafirmuan respektin dhe përkushtimin e tyre ndaj sovranitetit, unitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit, si dhe parimet e mishëruara në të drejtën ndërkombëtare, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Aktin Kushtetues të Bashkimit Afrikan", tha Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes.
Dy vendet e Afrikës Lindore kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Etiopia arriti një marrëveshje me rajonin e shkëputur të Somalisë Somaliland më 1 janar për ta përdorur portin e saj Berbera në Detin e Kuq. Türkiye ka punuar për t'u dhënë fund tensioneve midis dy vendeve.