Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, tha se ka marrëveshje mes qeverive federale dhe rajonale në vendin e saj për të njohur shtetin e Palestinës, por po “presin kohën e duhur".
Në një deklaratë për media para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Lahbib theksoi se mes qeverive federale dhe rajonale në Belgjikë vazhdojnë punimet për njohjen e shtetit palestinez. Ajo tha se ka marrëveshje mes qeverive për njohjen e Palestinës dhe se po "presin kohën e duhur".
"Ne i kushtojmë rëndësi shmangies së çdo njohjeje që do të ishte thjesht simbolike. Palestinezët kanë nevojë për më shumë sesa thjesht një njohje simbolike që nuk do të bëjë asnjë ndryshim në realitetin e tyre të përditshëm", tha Lahbib.
Duke paralajmëruar se plani i Izraelit për të sulmuar rajonin Rafah do të jetë "katastrofë", Lahbib tha se plani për sulm duhet të shmanget. Lahbib bëri thirrje për armëpushim duke tërhequr vëmendjen se rreth 1,5 milion palestinezë në rajonin Rafah nuk "kanë asnjë vend ku të shkojnë".
Plani i Izraelit për të sulmuar rajonin Rafah
Izraeli, i cili ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë në sulmin dhe pushtimin e Gazës, detyroi shumicën e popullsisë në pjesët veriore dhe qendrore të rajonit të grumbullohen në qytetin Rafah në kufirin me Egjiptin.
Izraeli dëshiron të pushtojë Rafahun nga toka dhe të largojë me forcë popullsinë nga rajoni jugor të cilin e shpalli zonë të sigurt për ata në veri gjatë sulmeve. Parashikohet se rreth 1,5 milion civilë janë të bllokuar në Rafah.
Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron Izraelin se një sulm gjithëpërfshirës në Rafah do të shkaktojë një tragjedi të re dhe të madhe.