Një punonjës belg i ndihmës dhe djali i tij janë vrarë nga sulmi ajror izraelit të mërkurën mbrëma në Rafah, tha të enjten agjencia belge e zhvillimit Enabel.
“Me pikëllim dhe tmerr të thellë mësuam për vdekjen e kolegut tonë Abdallah Nabhan (33) dhe djalit të tij 7-vjeçar Jamal mbrëmë pas një sulmi ajror izraelit në pjesën lindore të qytetit të Rafahut,” tha agjencia në X.
Sipas deklaratës së lëshuar nga agjencia, gruaja e Nabhan është në gjendje kritike në spital me dy fëmijët e tjerë të çiftit, të moshës 5 dhe 7 muajsh, të cilët pësuan lëndime të lehta.
Babai 65-vjeçar i punonjësit të ndihmës, vëllai 35-vjeçar dhe mbesa 6-vjeçare gjithashtu humbën jetën në sulm, tha ajo.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, pas vrasjes së anëtarit të stafit të Enabel në Gaza, tha se do të thërrasë në Ministrinë e Jashtme ambasadorin e Izraelit në Bruksel për të dënuar sulmin që vrau punonjësin e Agjencisë Federale të Zhvillimit (Enabel) në Gaza.
Duke shprehur ngushëllimet e saj për familjen dhe kolegët e Nabhanit, Lahbib tha: "Bombardimi i zonave dhe popullsive civile është kundër ligjit ndërkombëtar. Do të thërras ambasadorin izraelit për të dënuar këtë veprim të papranueshëm dhe për të kërkuar shpjegim".
Ministrja belge e Bashkëpunimit, Caroline Gennez tha se punonjësi 33-vjeçar i Enabel i quajtur Abdullah Nabhan dhe djali i tij 7-vjeçar humbën jetën në bombardimet në qytetin Rafah në Gaza.
Ndërtesa e Enabelit u shkatërrua plotësisht në sulmin izraelit më 1 shkurt.