Universiteti Gent në Belgjikë njoftoi se ka pezulluar të gjitha marrëveshjet për bashkëpunimin akademik me Izraelin. Në deklaratën me shkrim të bërë nga rektori i universitetit, Rik Van de Walle, si arsye e vendimit paraqiten "përmasa, kohëzgjatja dhe natyra e shkeljeve të të drejtave të njeriut që janë kryer nga qeveria e Izraelit".
Administrata e universitetit ka ndaluar gjithë bashkëpunimin akademik që vazhdon me universitetet izraelite dhe institucionet kërkimore, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se në rastin kur përfundimi i bashkëpunimit nuk do të jetë i mundur në aspektin ligjor, universiteti do të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga projektet në fjalë.
Në një deklaratë për agjencinë zyrtare të lajmeve Belga të Belgjikës, Van de Walle tha se "Universiteti Gent nuk dëshiron të përfshihet në shkeljet shumë serioze të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar të ndodhura në Gaza. Për këtë arsye universiteti nuk dëshiron të bashkëpunojë me partnerë që janë të përfshirë në këtë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut".
Gjithashtu, edhe Universiteti i Lirë i Brukselit (ULB) njoftoi më 28 maj, si dhe Universiteti Anvers njoftoi më 30 maj se kanë pezulluar marrëdhëniet e tyre me Izraelin.
Në Belgjikë vazhdojnë protestat e studentëve që nisën në fillim të muajit në Universitetet e Brukselit, Gentit, Anversit, Leuvenit dhe Lieges.