Ben-Gvir paralajmëron largimin nga qeveria nëse ratifikohet marrëveshja             Foto: Reuters

Itamar Ben-Gvir, lideri i partisë Fuqia Hebraike, tha të enjten se partia e tij do të largohet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu nëse marrëveshja e armëpushimit në Gaza dhe lirimi i pengjeve të arritur një ditë më parë miratohet nga kabineti.

Duke iu drejtuar një konference shtypi, Ben-Gvir, kreu i partisë Fuqia Hebraike, tha se shkëmbimi i të burgosurve dhe marrëveshja e armëpushimit të Gazës me Hamasin, e shpallur nga ShBA-ja dhe Katari, "do t'i zhbëjë të gjitha arritjet që kemi bërë", duke e përshkruar atë si "një turp”.

Ai shtoi se fraksioni i tij do t'i bashkohej koalicionit vetëm nëse rifillojnë operacionet ushtarake në Gaza, të cilat kanë vrarë më shumë se 46.000 njerëz që nga 7 tetori 2023 dhe e kanë lënë atë në gërmadha.

Ben-Gvir e përshkroi marrëveshjen si "të pamatur", duke vënë në dukje se ajo përfshin një armëpushim dhe një tërheqje nga Korridori i Filadelfit në Gazën jugore.

“Partia e Fuqisë Hebraike nuk do ta rrëzojë Netanyahun dhe do ta lejojë atë të mbetet kryeministër, por nuk do të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje”, tha ministri.

Tërheqja e Ben Gvir nuk mund ta rrëzojë qeverinë e Netanyahut, pasi partia e tij ka vetëm gjashtë vende në parlamentin prej 120 vendesh, i njohur si Knesset.

Një takim i kabinetit izraelit u shty të enjten, por ministrat pritet ta mbështesin marrëveshjen trefazore të armëpushimit, e cila do t'i ndalojë luftimet në Gaza dhe do t'i lirojë pengjet në kthim të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, të premten, sipas mediave izraelite. Ndihma do të lejohej gjithashtu në Gaza dhe do të kishte tërheqje të plotë izraelite nga enklava.

Në fillim të kësaj jave, Ben Gvir është shprehur se bisedimet e armëpushimit ishin një dorëzim ndaj Hamasit dhe se nëse marrëveshja kalon, ai do të japë dorëheqjen. Ai i kishte kërkuar ministrit të financave Bezalel Smotrich që ta ndiqte shembullin.

Në fazën e parë të marrëveshjes, 33 robër izraelitë do të lirohen në këmbim të një numri të burgosurish palestinezë.

TRT Balkan / agjencitë