Kreu i administratës ushtarake të rajonit Kherson të Ukrainës, Oleksandr Prokudin, njoftoi se ka rënë për 20 centimetra niveli i ujit në rajonin Kherson si pasojë e goditjes së digës Kakhovka.
Në një deklaratë me pamje nga llogaria e tij në median sociale, Prokudin foli për situatën e fundit në rajonin Kherson të prekur nga përmbytjet.
Ai theksoi se është vërejtur rënie e nivelit të ujit. "Gjatë natës niveli i ujit ka rënë për 20 centimetra. Që nga mëngjesi niveli i ujit në rajon është 5,38 metra. Në qytetin Kherson niveli i ujit është 5,35 metra", tha Prokudin.
Prokudin tha se 3.624 shtëpi në 32 vendbanime në rajon janë përmbytur dhe se janë evakuuar rreth 2.253 persona dhe 550 kafshë.
Në një deklaratë nga llogaria e medias sociale e Institucionit të Hidrocentraleve të Ukrainës (Ukrgidroenergo), thuhet se vazhdon të bjerë niveli i ujit në digën Kakhovka.
Niveli i ujit të digës në afërsi të qytetit Nikopol është 11,74 metra që nga ora 08:00 e mëngjesit me kohën lokale, thuhet në deklaratën. "Niveli i ujit në digë ka rënë 1 metër në ditën e fundit. Që nga mëngjesi i 6 qershorit e deri më tani uji ka rënë në 4,7 metra".