Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se administrata në largim e ShBA-së e presidentit Joe Biden po "punon intensivisht" për të arritur armëpushim në Gaza brenda dy javëve të ardhshme.
"Ne duam shumë të mbarojmë me këtë në dy javët e ardhshme", tha Blinken në një konferencë për media në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, duke përmendur 20 janarin kur administrata Biden largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha se kishte pasur një "angazhim të intensifikuar", duke përfshirë grupin e rezistencës palestineze Hamas, për arritjen e një marrëveshjeje, "por ne ende nuk kemi arritur marrëveshje për pikat përfundimtare".
Blinken bëri një udhëtim dyditor në Korenë e Jugut, ku zhvilloi bisedime me homologun e tij Cho Tae-yul, si pjesë e vizitës së tij të fundit përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, më 20 janar.
Më pas, dy zyrtarët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
"Ne kemi nevojë që Hamasi të marrë vendimet përfundimtare të nevojshme për ta përfunduar marrëveshjen dhe për t'i ndryshuar rrënjësisht rrethanat për pengjet, nxjerrjen e tyre jashtë, për njerëzit në Gaza, duke u sjellë atyre lehtësim, si dhe për rajonin në tërësi, duke krijuar një mundësi për të vërtetë për të ecur përpara drejt diçkaje më të mirë, më të sigurt për të gjithë të përfshirët", tha Blinken.
"Nëse nuk e arrijmë atë (armëpushimin) në dy javët e ardhshme, kam besim se do të arrihet në një moment, sa më shpejt, aq më mirë", tha Blinken.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza duke vrarë më shumë se 45.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor 2023, pavarësisht një rezolutre zë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në enklavë.