Blinken do të vizitojë Izraelin javën e ardhshme / Photo: AA

Sekretari i Shtetit të ShBA-së Antony Blinken javën e ardhshme do të vizitojë Izraelin për të diskutuar mbi sulmin e mundshëm të ushtrisë izraelite në Rafah dhe marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve mes Hamasit dhe Tel Avivit.

Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN thuhet se Blinken do të vizitojë Izraelin më 30 prill.

Kjo do të jetë vizita e 7-të që Blinken do të zhvillojë në rajon që nga 7 tetori 2023 e deri më tani.

Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah

Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1,9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2,3 milionë.

Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se "ishte i sigurt". Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1,5 milion.

Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore, si dhe ka shqetësime se civilëve nuk do t'u mbetet më vend për t'u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin.

Televizioni shtetëror izraelit KAN njoftoi se ushtria izraelite do të fillojë "shumë shpejt" sulmin tokësor në Rafah.

AA