Blinken riafirmon se 90 për qind e kushteve për armëpushim është zgjidhur / Photo: AA

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka ripohuar se 90 për qind e marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për marrëveshjen e pengjeve janë zgjidhur, duke i bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të bien dakord për "çështjet kritike" të mbetura.

"Mendoj se bazuar në atë që kam parë, 90 për qind është rënë dakord, por ka disa çështje kritike që mbeten ku ne duhet të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje dhe ato me të vërtetë shkojnë në atë se si do të zbatohen disa aspekte të marrëveshjes", deklaroi Blinken në një konferencë për media në Haiti.

Sipas Blinkenit, çështjet e mbetura të diskutueshme, përfshirë 'Korridorin e Filadelfit' dhe specifikat se si shkëmbehen pengjet dhe të burgosurit, janë diskutuar ditët e fundit.

"Në këtë pikë, më duket se është me të vërtetë detyrë e të dyja palëve të arrijnë marrëveshje për këto çështje të mbetura", tha ai, duke theksuar "diskutimet aktive" me partnerët e ShBA-së, Egjiptit dhe Katarit.

Sekretari amerikan njoftoi se është në pritje që këto diskutime t'i ndajnë me dy palët Izrael - Hamas, në mënyrë që të zgjidhen çështjet e mbetura.

Komentet e sekretarit amerikan pasuan mohimin e raporteve nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që citonin një zyrtar të lartë të administratës amerikane, i cili tha se 90 për qind e kushteve për armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve ishin rënë dakord, me Netanyahun që i quajti pretendimet "të pasakta".

"Ka një histori, një narrativë se ka një marrëveshje atje. Kjo është thjesht një narrativë e rreme. Nuk ka marrëveshje në përgatitje. Fatkeqësisht, nuk është afër", deklaroi Netanyahu në një intervistë për "Fox News".

Të mërkurën në një konferencë për media në Kuds, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij ndaj tërheqjes nga 'Korridori i Filadelfit', një zonë e ngushtë, por strategjike që kalon përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.

Kreu i shtetit izraelit përmendi shqetësimet se Hamasi mund të përdorë zonën për të lehtësuar kontrabandën nga Egjipti nëse forcat izraelite tërhiqen.

Kritikët argumentojnë se qëndrimi i Netanyahut mbi korridorin e ka komplikuar marrëveshjen më të gjerë të armëpushimit.

Hamasi vazhdon të kërkojë tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, përfshirë 'Korridorin e Filadelfit' si dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur.

Ndërsa Izraeli vijon me ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi palestinez Hamas.

AA