Blloku i BRICS-it fton 6 shtete të reja.     /Foto: Reuters

Gjashtë vende, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Iranin, do të bëhen anëtarë të rinj të bllokut të BRICS-it të ekonomive në zhvillim në janar.

Argjentina, Egjipti dhe Etiopia gjithashtu do t’i bashkohen bllokut në vitin 2024, njoftoi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, të enjten në samitin e BRICS-it në Johanesburg.

BRICS-i aktualisht përbëhet nga ekonomitë në zhvillim të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut. Këta pesë anëtarë ranë dakord në samitin e kësaj jave për të zgjeruar bllokun.

“Ne kemi marrë vendim të ftojmë Republikën Argjentinase, Republikën Arabe të Egjiptit, Republikën Federale Demokratike të Etiopisë, Iranin, Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që të bëhen anëtarë të plotë të BRICS-it. Anëtarësimet e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024”, tha Ramaphosa në këtë samit.

Është hera e dytë që BRICS-i vendos të zgjerohet. Blloku u formua në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina. Afrika e Jugut u shtua në vitin 2010. Blloku BRICS përfaqëson rreth 40 për qind të popullsisë së botës dhe kontribuon më shumë se një të katërtën e PBB-së globale.

Tre nga liderët e tjerë të grupit janë duke marrë pjesë në samit dhe ishin të pranishëm së bashku me Ramaphosan kur u njoftua për zgjerimin, duke përfshirë presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentin kinez Xi Jinping.

Presidenti rus Vlladimir Putin nuk udhëtoi për në samit pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest për të në mars. Ai mori pjesë virtualisht në samit, ndërsa Rusia u përfaqësua në këtë njoftim në Johanesburg nga ministri i Jashtëm, Sergej Llavrov.

Thirrjet për të zgjeruar BRICS-in kishin dominuar agjendën e samitit triditor dhe vënë në dukje dallimet midis bllokut mbi ritmin dhe kriteret për pranimin e anëtarëve të rinj.

Por, ky grup, i cili merr vendime me konsensus, ra dakord për “parimet udhëzuese, standardet, kriteret dhe procedurat e procesit të zgjerimit të BRICS-it”, tha Ramaphosa.

Gati njëzet shtete kishin aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar në këtë klub.

Rreth 50 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish janë duke marrë pjesë në samit që po zhvillohet në Johanesburg, i cili përfundon të enjten.

TRT Balkan / agjencitë