Tajlanda e gatshme t'i bashkohet BRICS-it "sa më shpejt të jetë e mundur" / Photo: AA

Ministri i Jashtëm i Tajlandës Maris Sangiampongsa ka thënë se ekonomia e dytë më e madhe e Azisë Juglindore është "e gatshme" t'i bashkohet BRICS-it "sa më shpejt të jetë e mundur". Deklarata vjen pasi kabineti i kryesuar nga kryeministri Srettha Thavisin në fund të muajit të kaluar miratoi një draft projekti të qeverisë, që tregon qëllimin e Bangkokut për t'u bërë anëtare e bllokut. Maris i bëri komentet gjatë një takimi me homologun e tij kinez Wang Yi, në margjinat e Samitit të Ministrave të Jashtëm të BRICS në qytetin rus Nizhny Novgorod, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Pekini të mërkurën. "Tajlanda është e gatshme të bashkohet me mekanizmin BRICS sa më shpejt të jetë e mundur, (dhe) të luajë një rol më aktiv në bashkëpunimin Jug-Jug dhe të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Kinën në platformat shumëpalëshe," i tha Maris Wang. BRICS është një bllok i ekonomive në zhvillim, i cili përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut. Ajo mirëpriti gjithashtu edhe Arabinë Saudite, Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si anëtarë të plotë në janar. Grupi u themelua në qershor 2006 në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut me pjesëmarrjen e ministrave të ekonomisë të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Grupit iu shtua edhe Afrika e Jugut në 2010. Stafeta e kryesimit njëvjeçar të BRICS-it iu kalua Rusisë më 1 janar.

Gjatë mandatit, Moska synon t'i japë përparësi politikës dhe sigurisë, ekonomisë dhe financave, si dhe marrëdhënieve kulturore dhe humanitare.

Mbi 250 ngjarje janë planifikuar në më shumë se 10 qytete ruse në vitin 2024. Ngjarja kryesore do të jetë samiti i liderëve të BRICS-it në Kazan më 22-24 tetor.

Sipas ndihmësit të presidentit rus për punët e jashtme, Yury Ushakov, BRICS ka tejkaluar Grupin e Shtatë në barazinë e fuqisë blerëse, duke zënë 35,6% të PBB-së globale, ndërsa G7 përbën 30,3%.

Maris ishte në Nizhny Novgorod për të marrë pjesë në samitin e BRICS+.

AA