Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ka anuluar vizitën e tij në Izrael, e cila ishte planifikuar në kuadër të turneut të tij rajonal.
Sipas gazetës izraelite 'Yediot Ahranot', Borrell ka anuluar vizitën e tij në Izrael në kuadër të turneut të tij rajonal për të diskutuar mbi sulmet e Izraelit në Gaza, që përfshin Egjiptin dhe kryeqytetin Bejrut të Libanit.
Vizita e Borrellit në Izrael ishte planifikuar për 14-15 shtator, por administrata e Tel Avivit kërkoi që kjo vizitë të shtyhet deri në fund të tetorit kur do të përfundojë mandati i përfaqësuesit të BE-së.
Gjithashtu, thuhet se Borrell i ka dhënë përgjigje ambasadorit të Izraelit në BE, Haim Regev, se ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Yisrael Katz, anuloi programin e tij, sepse "ai nuk e donte këtë vizitë".
Për shkak të kritikave të tij ndaj sulmeve të Izraelit kundër Gazës, politikave pushtuese izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe dhunës ndaj palestinezëve, Borrell ndezi reagimin e qeverisë izraelite, veçanërisht të ministrit Katz.
Tel Avivi u zemërua nga kërkesa e Borrellit ndaj BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj figurave të ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite, respektivisht të ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, me arsyen se kanë aplikuar retorikë të urrejtjes kundër palestinezëve.
Borrell ka drejtuar akuzë ndaj Izraelit se në sulmet në Gaza përdor urinë si armë duke penguar dërgimin e ndihmave humanitare.