Shtetet anëtare të BE-së duhet t'i përmbushin detyrimet e tyre për të drejtën ndërkombëtare duke respektuar urdhrin e arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha të martën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Duke tërhequr vëmendjen për faktin se të gjithë anëtarët e BE-së janë palë në Konventën e Romës, e cila themeloi Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjND), kryediplomati i Evropës Borrell tha: “Ju nuk mund të zgjedhni një e ta lini tjetrën. Nuk mund të mbështesni kur gjykata është kundër Putinit dhe të heshtni kur gjykata shkon kundër Netanyahut.”
Duke folur për shtypin në margjinat e takimit të Ministrave të Jashtëm të G7-s në Itali, ai tha se standarde të tilla të dyfishta po çojnë në kritika të ashpra ndaj BE-së.
"Unë kërkoj nga shtetet anëtare të BE-së ta përmbushin detyrimin e tyre për të drejtën ndërkombëtare. Ju pëlqen apo jo, GjNP-ja është një gjykatë po aq e fuqishme sa çdo gjykatë kombëtare", shtoi ai.
Borrell paralajmëroi: "Nëse Evropa nuk e mbështet GjNP-në, nuk do të ketë shpresë për drejtësi".
Në Liban, ai paralajmëroi se vendi do të shpërbëhet nëse propozimi aktual i armëpushimit nga ShBA-ja dhe Franca nuk zbatohet.
Sulmet e vazhdueshme izraelite çuan jo vetëm në zhvendosjen dhe vrasjen e një numri të madh të njerëzve libanezë, por gjithashtu dëmtuan rëndë institucionet shtetërore libaneze, përfshirë ushtrinë, tha Borrell.
Duke kujtuar kundërshtimet ndaj propozimit të ministrave ekstremistë në qeverinë izraelite, ai i kërkoi Netanyahut të punonte për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.