Borrell: Izraeli po përdor ndërprerjen e ushqimit si armë në Gaza / Photo: AA

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi në Forumin e 3-të Humanitar Evropian në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian dhe Belgjika, se Izraeli po përdor urinë si armë duke penguar hyrjen e ndihmës në Gaza.

"Gaza tashmë nuk është në prag të urisë, uria po ndodh. Pra, çfarë do të bëjmë atëherë? Ne nuk mund të qëndrojmë pranë dhe të shikojmë palestinezët se si vdesin nga uria. Çfarë do të bëjmë? Kjo nuk është fatkeqësi natyrore. Kjo nuk është përmbytje. Ky nuk është tërmet. Është plotësisht i krijuar nga njeriu. Nga kush? Le ta themi me guxim. Nga ai që pengon hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza", tha Borrell.

"Qindra kamionë presin në kufi, por ata që janë përgjegjës për kontrollin e tyre po bllokojnë hyrjen e tyre. Unë vij këtu nga Washingtoni dhe guxoj ta them. Po, Izraeli po shkakton urinë rregullisht. ‘Si mund të thoni kështu, çfarë provash keni?' Çfarë prove kam unë? Qindra kamionë presin të hyjnë. Është absolutisht e nevojshme që pikat e kalimit të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të hapen pika kalimi shtesë. Kjo është çështje e vullnetit politik. Izraeli duhet ta bëjë këtë", theksoi Borrell.

Ai vuri në dukje se ndihmat janë duke pritur atje.

"Kamionët janë ndalur. Ndërsa njerëzit po vdesin, hyrjet mbahen të mbyllura artificialisht. Ne po dërgojmë ndihma me avionë me parashuta, por aty pranë është një aeroport, një orë larg. Pse nuk e dërgojmë në aeroport ? Sepse nuk e lejojnë. Uria përdoret si armë. Po, le ta themi me guxim këtë. Uria po përdoret si armë", potencoi shefi i diplomacisë evropiane.

AA