Borrell: Jemi në prag të luftës në Lindjen e Mesme / Photo: AA

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Në një postim nga llogaria e tij në median sociale, Borrell vuri në dukje se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan.

Në postim thuhet se Borrell dhe Bin Farhan ndajnë të njëjtat vlera për "punën urgjente së bashku për të gjetur mënyrat për të ulur tensionet dhe për t'i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme".

Borrell, deklaroi gjithashtu se është seriozisht i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Izraelit dhe Iranit dhe paralajmëroi se ato e kanë sjellë botën në prag të luftës.

Duke folur me gazetarët në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G7, Borrell paralajmëroi se rrjedha aktuale e ngjarjeve mund të çojë në një konflikt të gjithanshëm rajonal me pasoja të gjera.

“Nuk dua të ekzagjeroj, por jemi në prag të një lufte, një lufte rajonale në Lindjen e Mesme, e cila do të shkaktojë tronditje në pjesën tjetër të botës, veçanërisht në Evropë. Ndaj duhet ndaluar”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane shtoi se Forumi i Sigurisë i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe BE-së, që do të mbahet në Luksemburg është mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin në këtë çështje, Forumi BE-GCC me temë sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal i cili do të kryesohet nga Borrell do të mbahet më 22 prill.

Në forum do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe GCC-së, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për rajonin e Gjirit Luigi Di Maio, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, që ka presidencën e radhës në GCC, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe sekretari i Përgjithshëm i GCC-së, Jasem Mohamed Al-Budaywi.

AA