Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell shprehu shpresën sot se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Türkiye për zhbllokimin e eksporteve të drithërave ukrainase këtë javë do të sjellin një marrëveshje.
Borrell foli para gazetarëve gjatë rrugës për në një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së.
"Shpresoj se këtë javë do të mund të arrihet një marrëveshje për zhbllokimin e anijeve në Odesa dhe anijeve të tjera ukrainase për të transportuar grurë, tha ai për negociatat e udhëhequra nga Türkiye.
Ai theksoi se kjo nuk është një lojë diplomatike pasi jetët e dhjetëra mijëra njerëzve varen nga kjo marrëveshje.
Borrell gjithashtu përjashtoi mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes për Ukrainën dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë edhe nëse Moska kërcënon bllokun me reduktimin e furnizimit me gaz.
Mes tjerash Borrell shpjegoi se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë ndalimin e importit të arit rus dhe ndryshime të tjera të sanksioneve ekzistuese për një zbatim më efikas.
Ministrat do të flasin gjithashtu për planet e rritjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën, kurse kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba gjithashtu do t'i bashkohet seancës së mëngjesit, shtoi Borrell.
Pasdite, ministrat e BE-së do të diskutojnë edhe për marrëdhëniet e bllokut me Amerikën Latine, zhvillimet e fundit në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe diplomacinë digjitale.
BE-ja ka vendosur gjashtë grupe sanksionesh kundër Rusisë që nga fillimi i luftës së vendit kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Pakot e sanksioneve synojnë, ndër të tjera, presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, ndalojnë importet e naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze, si dhe kanë përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit SWIFT.
18 Kor 2022
Borrell shpreson në Türkiye-n për zhbllokimin e drithërave ukrainase
Në portin Odessa në Ukrainë janë të bllokuara miliona tonë drithë
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.