Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi krijon nevojën për rritje të bashkëpunimit midis BE-së dhe Koresë së Jugut.
Borrell foli përpara dialogut strategjik BE-Kore e Jugut të mbajtur në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut.
Duke kujtuar se BE-ja dhe Koreja e Jugut janë partnerë strategjikë, Borrell tha se në kushtet aktuale të rritjes së tensioneve gjeopolitike, rreziqet teknologjike dhe ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim për të dyja palët.
"Indo-Paqësori është në qendër të transformimit digjital, ndryshimet klimatike, rritja e Kinës dhe shumë ndryshime të tjera globale në botën tonë të ndërlidhur. Zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë nuk kufizohen në kufijtë gjeografikë," tha Borrell.
Duke deklaruar se zhvillimet bashkëkohore politike, ekonomike dhe të sigurisë i kapërcejnë gjithnjë e më shumë kufijtë gjeografikë dhe kërkojnë veprime të koordinuara, Borrell deklaroi se konfliktet gjeografikisht të largëta janë të ndërlidhura për sa i përket ndikimit të tyre në stabilitetin global.
"Ngjarjet në këtë gadishull dhe në Ukrainë, edhe pse larg njëra-tjetrës, janë të ndërlidhura, duke përfshirë vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, e cila rithekson rëndësinë e agjendës sonë të përbashkët të sigurisë. Prania e trupave të Koresë së Veriut në Rusi do të thotë të punojmë së bashku. Kjo rrit nevojat tona”, tha Borrell.
Presidenti rus Vlladimir Putin bëri një vizitë zyrtare në Korenë e Veriut në qershor dhe atëherë u nënshkrua një "marrëveshje gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik".
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi më 25 tetor se kishin mësuar se Rusia do të vendoste ushtarë të Koresë së Veriut në zonat e para luftarake më 27 dhe 28 tetor.
ShBA-ja ka njoftuar se ka rreth 10.000 trupa të Koresë së Veriut në Rusi, 8.000 prej të cilëve janë të dislokuar në rajonin Kursk pranë kufirit me Ukrainën