Ushtria izraelite vrau dy palestinezë dhe plagosi katër të tjerë në një sulm me dron në kampin e refugjatëve Balata në qytetin e Nablusit në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sulmi me dron ndodhi ndërsa forcat izraelite bastisën kampin Balata në Nablus, duke shkaktuar përleshje me palestinezët, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa.
Agjencia citoi burime lokale që identifikuan dy palestinezët e vrarë si Ahmad Sheikh-Khalil dhe Wael Masheh, të dy nga kampi i refugjatëve.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se forcat izraelite penguan lëvizjen e ambulancave për të transferuar të plagosurit në spital.
Forcat izraelite kanë kryer bastisje të rregullta nëpër zona të ndryshme të Bregut Perëndimor, të cilat janë përshkallëzuar që nga fillimi i konfliktit të Gazës më 7 tetorin e kaluar. Palestinezët janë përballur gjithashtu me sulme të dhunshme nga kolonët e paligjshëm izraelitë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që atëherë, të paktën 632 palestinezë janë vrarë dhe rreth 5.400 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar.