Forcat izraelite vranë shtatë palestinezë, duke përfshirë katër fëmijë, gjatë bastisjeve të natës në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas lajmeve të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtarët izraelitë kanë kryer bastisje natën në shumë qytete dhe qyteza të Bregut Perëndimor, veçanërisht në Ramallah, Nablus, Al-Khalil, Tulkerem dhe Betlehem.
Ushtarët izraelitë përdorën municion të vërtetë dhe plumba gome kundër palestinezëve që iu përgjigjën sulmeve.
Ministria e Shëndetësisë palestineze deklaroi se 24-vjeçari Ibrahim al-Haj Ali u vra nga ushtarët izraelitë në Nablus dhe 21-vjeçari Muhammad Abdurrahman Fevvak u vra nga një kolon hebre në Ramallah.
Jibril Awad (32), i cili u plagos në përleshjen që shpërtheu gjatë bastisjes në fshatin Budrus pranë Ramallah dhe Taha Mehamid (16) në kampin e refugjatëve Nur Shams vdiqën nga humbja e gjakut pasi ushtarët izraelitë penguan ekipet mjekësore të hynin.
Ushtarët izraelitë qëlluan Ahmed Saduk (17) në kokë dhe e vranë në kampin e refugjatëve Ed-Dehishe në Betlehem.
Ushtarët izraelitë u raportuan të kenë vrarë dy palestinezë të tjerë me municion të vërtetë në fshatin Shakba, në perëndim të Ramallah.
WAFA raportoi se 17-vjeçari Kays Shelesh dhe 15-vjeçari Halil Muhammed Halil u vranë në fshatin Shakba.
Forcat izraelite dhe kolonët hebrenj kanë vrarë 69 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.
100 palestinezë të arrestuar në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor
Forcat izraelite gjiashtu arrestuan 100 palestinezë përfshirë edhe ish-deputetë dhe zyrtarë të Hamasit në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor. Përgjegjësja për media e Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Amani Sarahneh, në një deklaratë për agjencinë Anadolu, theksoi se ushtria izraelite ka kryer bastisje në zona të ndryshme të Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor.
Forcat izraelite kanë arrestuar të paktën 100 palestinezë, njoftoi Sarahneh duke thënë se në mesin e të arrestuarve janë disa anëtarë të Hamasit, duke përfshirë Hassan Yousef një nga zyrtarët e Hamasit në Bregun Perëndimor dhe ish-deputetë.
Ndër të tjerash, Sarahneh ka informuar se forcat izraelite kanë arrestuar 850 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori.
Ndërsa nga pala izraelite nuk është bërë ende një deklaratë lidhur me çështjen.