Britania: Nuk është koha e duhur për ta njohur shtetin e Palestinës / Photo: AA

Ministri britanik i Thesarit, Jeremy Hunt, tha sot se nuk është koha e duhur që Britania e Madhe të njohë Palestinën si shtet, por shtoi se do të vazhdojë ta mbajë këtë çështje në shqyrtim.

"Ne kemi një qëndrim të gjatë për këtë që ne do të jemi të përgatitur të njohim shtetin e Palestinës në kohën kur ajo ndihmon më shumë procesin e paqes", tha Hunt për "Sky News".

Vërejtjet e tij erdhën si përgjigje ndaj një pyetjeje nëse Britania do të ndjekë shembullin e Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë për të njohur Palestinën si shtet.

"Pozicioni ynë është se kjo nuk është koha e duhur për ta bërë këtë për momentin", tha Hunt.

Njohja zyrtare nga Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e një shteti të pavarur palestinez do të hyjë në fuqi më 28 maj, njoftuan liderët e tyre sot.

Njohja e Palestinës nga shtetet e lartpërmendura, erdhi derisa Izraeli po e vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar palestineze.

Më shumë se 35.600 palestinezë janë vrarë, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë dhe rreth 79.900 të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas sulmit të grupit palestinez Hamas.

Më shumë se shtatë muaj nga fillimi i luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila e ka urdhëruar Izraelin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA