Qeveria britanike po u paguan nga 1.500 paundë të burgosurve shqiptarë për t’u kthyer në Shqipëri. Siç lexohet në artikullin e sotëm të BBC-së, Mbretëria e Bashkuara ka përgatitur një program të veçantë të quajtur Skema e Kthimit të Lehtësuar, nëpërmjet të cilit u ofrohet “një stimul financiar” të burgosurve të huaj "me kusht që ata të bashkëpunojnë për dëbimin dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për t’u ankuar kundër tij". Televizioni publik citon edhe një dokument qeveritar që e konfirmon këtë gjë.
Edhe shqiptarët me të cilët ka folur BBC-ja kanë konfirmuar se u është ofruar një shumë prej 1.500 paundë për t'u kthyer në shtëpi.
“Oficeri i emigracionit erdhi të na takojë”, tha një shqiptar nën kushte anonimiteti.
"Ata ju pyesin nëse doni të ktheheni [në Shqipëri] apo të qëndroni në Mbretërinë e Bashkuar. Ata shpjeguan se nëse ktheheni, ju heqin një vit nga dënimi", tha ai më tej.
Edhe të burgosurve të tjerë të cilët folën me televizionin britanik në fluturimet e dëbimit muajin e kaluar u ishte dhënë e njëjta shumë.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare thonë se Shqipëria dhe Britania e Madhe vazhdojnë bashkëpunimin në lidhje me kthimin e emigrantëve të parregullt shqiptarë.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka konfirmuar për Anadolu se procesi i kthimit të emigrantëve të parregullt shqiptarë nga Britania ka vijuar përgjatë vitit 2023, ndërkohë është një proces që vazhdon.
Sipas autoriteteve shqiptare, mbi 1 000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri në muajt e fundit, ku këto të dhëna përfshijnë shtetas që kanë depozituar kërkesa të pabazuara azili, shkelës të ligjit, si dhe kthime vullnetare, për periudhën nga 13 dhjetori i vitit 2022 deri në javën e parë të prillit të vitit 2023.
Gjithashtu konfirmohet se në vitin 2022 ka pasur 1.888 kthime të shtetasve shqiptarë nga Britania, nga të cilët 954 prej tyre ( janë kthime të detyruara dhe 934 janë ) kthime vullnetare.
Qeveria britanike nuk ka konfirmuar se sa shqiptarë të burgosur kishin marrë stimuj financiarë për të bashkëpunuar për dëbimin, duke thënë se nuk i publikon këto statistika.
"Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare punojnë së bashku për të shfrytëzuar çdo mundësi për të kapur ndaluar punën e kontrabandistëve të njerëzve dhe për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve pa të drejtë ligjore për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar", tha një zëdhënës i Qeverisë.